Misioni dhe Vizioni

Shtyp
Krijuar: 24 Mars 2015 Ndryshimi i fundit: 24 Mars 2015 Vizita: 9032

MISIONI I UNIVERSITETIT POLITEKNIK TE TIRANES

Misioni i UPT është kompleks dhe shprehje e qëllimit përse është krijuar ky institucion, përse ekziston dhe se si organizohet dhe mobilizohet ai, që të realizojë detyrat në një periudhë kohore afatgjatë.

Si një institucion i arsimit të lartë, Universiteti Politeknik  i Tiranës ka për mision:

                     —  të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe                              shërbimeve për të tretë si dhe të formojë  specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtare të rinj;

                     —  të ofrojë mundësi për të përfituar nga arsimi i lartë gjatë të gjithë jetës;

   të ndihmojë zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal;

 

 —  të kontribuojë në rritjen e standardeve të demokracisë e të qytetërimit të shoqërisë dhe në përgatitjen e të rinjve për një shoqëri të tillë.

 

Më konkretisht , Universiteti Politeknik i Tiranës ka një profil të tij dhe në dallim nga institucionet e tjerë të arsimit te lartë shqiptar, ka një mision të diferencuar: mbulon shkencat teknike, duke përgatitur inxhinierë/arkitektë dhe shkencëtare të rinj, të aftë për të zgjidhur detyrat përkatëse në ndërmarrjet industriale, në qendrat e projektimit, në institucionet kërkimore-shkencore, etj.

Detajimi i misionit kompleks të UPT në nën misione është dhe do të jetë një nga detyrat e rëndësishme të këtij institucioni, të cilën ai synon që ta zgjidhë në mënyrë të tillë që ti shërbejë sa më efektivisht nevojave të vendit në përgjithësi dhe nevojave të komunitetit dhe bizneseve lokale në veçanti.

 

VIZIONI I UNIVERSITETIT POLITEKNIK TE TIRANES

 

Universiteti Politeknik i Tiranës e sheh vizionin e tij si një gjendje dhe nivel të ardhëm, si bazën “se ku ai do të shkoje”, e paraqitur kjo nëpërmjet objektivave themelore dhe drejtimit të tij strategjik. Në këtë mënyrë, vizioni i UPT përbën shkallën e dytë të procesit të hartimit dhe planifikimit strategjik të tij.

Universiteti Politeknik i Tiranës synon të bëhet qendra më e shquar e arsimit universitar, pasuniversitar, e kërkimit dhe e trajnimit për përgatitjen profesionale dhe shkencore të specialistëve të fushës së inxhinierisë/arkitekturës. Ai do të vazhdojë të garantojë gjithmonë e më mirë kënaqjen e të gjitha nevojave që ka ekonomia jonë, në zhvillimin e saj perspektiv, për specialistët e lartë, të cilët do të kontribuojnë me efektivitet dhe efiçiencë në fushën e industrisë shqiptare. Gjithashtu, UPT synon të bëhet qendra kryesore e kërkimit në fushën teknike, duke grumbulluar kërkuesit më të aftë të cilët do të kontribuojnë, duke u fokusuar në mënyrë selektive në drejtimet prioritare. Duke integruar mësimin me kërkimin shkencor, ky institucion synon dhe do të synojë të përgatisë jo vetëm specialistë të kualifikuar, por dhe qytetarë të përgjegjshëm dhe të kulturuar në shërbim të shoqërisë, të zhvillimit cilësor dhe të qëndrueshëm të vendit. Në kuadrin e një perspektive ndërkombëtare, UPT synon të aderojë me dinjitet në bashkësinë e universiteteve teknike evropiane, natyrisht duke patur të spikatur veçoritë, që përbëjnë individualitetin e tij.

 

Për te arritur këto synime të vizionit strategjik, UPT do të përballet me sfida gjithmonë e më të mëdha dhe të rëndësishme zhvillimi, si:

Ø  Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë, plotësimi i vazhdueshëm i standardeve shtetërore në drejtim të mësimit, kërkimit shkencor dhe shërbimeve ndaj të tretëve dhe gradualisht, edhe arritja e praktikave dhe standardeve të universiteteve evropiane dhe më gjerë.

Ø  Arritja e menaxhimit optimal të institucionit, për të arritur plotësisht statusin e një universiteti publik autonom, të një universiteti, që organizon dhënien dhe promovimin e njohurive të larta inxhinierike dhe të kërkimit si dhe përpunimin dhe transferimin e njohurive shkencore dhe teknologjike, të një universiteti me rentabilitet ekonomik në rritje të vazhdueshme.

Ø  Përmirësimi dhe zgjerimi i vazhdueshëm i programeve të studimit, në mënyre qe ata t’u japin studenteve njohuritë dhe aftësitë e duhura, si dhe për te kontribuar me efektivitet në zhvillimin e sektorit të industrisë.

Ø  Sfida e forcimit të parimeve të demokracisë, të pluralizmit dhe të lirisë individuale dhe kolektive, duke garantuar pjesëmarrjen më të gjerë dhe transparencën e nevojshme në vendimmarrje, duke publikuar të gjithë veprimet qe do të ndiqen, parime që lidhen me tre komponentët themelore në këtë institucion: studentët, stafet akademike dhe personelin tekniko-administrativ.