Sesionet e Provimeve

Shtyp
Krijuar: 04 Tetor 2011 Ndryshimi i fundit: 17 Janar 2020 Vizita: 46780
 
1. Provimet zhvillohen brenda periudhave të caktuara në strukturën mësimore të vitit akademik. Datat e tyre propozohen nga sekretaritë mësimore me zëvendësdekanin për anën mësimore, në bashkëpunim me departamentet, miratohen nga dekani dhe shpallen jo më vonë se dy javë para fillimit të sesionit.
2. Provimet zhvillohen në tre sesione:
• sesioni i provimeve të dimrit, i cili zhvillohet pas përfundimit të semestrit të parë;
• sesioni i provimeve të verës, i cili zhvillohet pas përfundimit të semestrit të dytë;
• sesioni i provimeve të vjeshtës, i cili zhvillohet në Shtator.
3. Nëse studenti nuk ka shlyer detyrimet e lëndës në kohën normale të zhvillimit të saj, sipas nenit 32 të kësaj rregulloreje, ai duhet t’i shlyejë ato para fillimit të sesionit të provimeve, në periudhën e shpallur në strukturën mësimore. Nuk lejohet shlyerja e detyrimeve të lëndës përgjatë sesionit të provimeve.
4. Studenti, nuk lejohet të hyjë më shumë se një herë në provimin e një lënde, brenda një sesioni.
5. Studenti mund të marrë më shumë se numri maksimal i krediteve të përcaktuara në planin dhe programin mësimor për çdo vit akademik, nëse ka plotësuar të gjitha parakushtet e hyrjes në provim.
 
Provimi / kontrolli i dijeve
 
1. Provimi është një akt madhor, prandaj dekanati i fakultetit merr masat e nevojshme për organizimin e sesioneve të provimit dhe krijimin e kushteve normale, si dhe kontrollon vazhdimisht zbatimin e rregullave të përcaktuara në këtë rregullore. Si rregull, provimet zhvillohen në mjediset e UPT-së.
2. Provimet organizohen mbi bazë grupi mësimor. Ato zhvillohen në orën, datën dhe auditorin e caktuar, të cilat reflektohen në orarin e provimeve, të shpallur dy javë para fillimit të sesionit.
3. Në raste të jashtëzakonshme, në pamundësi të zhvillimit të provimit ditën e caktuar, dekani, me urdhër me shkrim, e anulon dhe cakton një datë të mëvonshme, jo më vonë se 5 ditë pas përfundimit të sesionit përkatës, e cila u bëhet e njohur studentëve. Për çdo vendim të tillë, dekani njofton Rektoratin.
4. Studentët merren në provimin e lëndës nga jo më pak se dy pedagogë: lektori i lëndës dhe pedagogë të tjerë të përfshirë në mësimdhënien e lëndës. Nëse lënda është zhvilluar nga një pedagog, drejtuesi i njësisë bazë cakton një anëtar tjetër të stafit akademik, të afërt me atë disiplinë. Nëse lektori i lëndës ose pedagogët e përfshirë në mësimdhënie, për arsye madhore nuk mund të marrin pjesë në provim, drejtuesi i njësisë bazë propozon pedagogët që do t'i zëvendësojnë, të cilët miratohen nga dekani. Në rast pamundësie zëvendësimi, me propozim të dekanit dhe miratim të rektorit, provimi shtyhet jashtë sesionit brenda 5 ditëve nga përfundimi i tij.
5. Ndalohet hyrja në provim e personave të jashtëm, qofshin dhe anëtarë të personelit të Universitetit Politeknik të Tiranës, me përjashtim të drejtuesit të departamentit, dekanit, rektorit dhe persona të tjerë të autorizuar me shkrim nga dekani/rektori, për të kryer kontroll.
6. Studenti është i detyruar të paraqitet në provim me dokument identifikimi me fotografi (libreza e studentit, karta e identitetit ose karta e studentit), në të kundërt ai nuk lejohet të futet në provim dhe pasojat rëndojnë mbi studentin. Në përfundim të provimit, komisioni shënon në librezën e studentit notën e vlerësimit me numër dhe me fjalë, duke vënë firmën secili anëtar i komisionit.
7. Në provim nuk lejohet mbajtja dhe përdorimi i telefonave celularë apo mjeteve të dyshimta elektronike. Studenti që në provim përdor forma e mjete të palejueshme, përjashtohet nga provimi. Komisioni i provimit vë në dijeni drejtuesin e njësisë bazë dhe njësisë kryesore, për të proceduar më tej në përputhje me Kodin e Etikës së UPT-së.
8. Provimet me shkrim bëhen të sekretuara dhe zgjasin 2-4 orë. Gjatë provimit mund të lejohet përdorimi i mjeteve ndihmëse. Sistemi i pikëve dhe konvertimi përkatës me notë, që përdoret në provimin me shkrim, i bëhen të njohur studentit para fillimit të provimit.
9. Në të gjitha format e organizimit të provimit, studenti merr vlerësimin përkatës nga komisioni jo më vonë se pesë ditë pune nga data e dhënies së provimit. Vonesa në dhënien e rezultatit të vlerësimit ngarkon me përgjegjësi komisionin e provimit. 
10. Komisioni bën me dije studentin për rezultatin e vlerësimit, para plotësimit të dokumentacionit përkatës sipas nenit 36 (fleta e provimit). Studenti ka të drejtë të sqarohet për çdo paqartësi nga ana e tij ose të kundërshtojë rezultatin e marrë. Komisioni i vlerësimit është i detyruar të sqarojë studentin në lidhje me vlerësimin e bërë, duke ballafaquar përgjigjet e dokumentuara të studentit me tezën e zgjidhur.
11. Studenti merr vlerësimin kalues në një lëndë kur:
• ka plotësuar të gjitha parakushtet e përcaktuara sipas programit mësimor;
• vlerësohet me notë kaluese, sipas formës së kontrollit që parashikon programi i lëndës.
Në rast të kundërt studenti, nuk konsiderohet kalues.
12. Provimet e studentëve ruhen në departament nga lektori për një periudhë, të paktën deri në sesionin pasardhës të provimeve.
 
Ankimimi i studentëve

1. Studenti ka të drejtë të ankimohet, në rast se ndaj tij janë shkelur rregullat proceduriale gjatë zhvillimit të provimit ose nuk është dakord me vlerësimin e bërë. Ankesa duhet të depozitohet me shkrim në sekretarinë e dekanit, brenda një afati prej 3 ditë pune nga shpallja e rezultatit.
2. Kjo ankesë shqyrtohet nga dekani, i cili mund të thërrasë për sqarime drejtuesin e njësisë bazë përkatëse, komisionin e provimit dhe vetë studentin. Pas gjykimit të çështjes, merr vendimin përkatës të formës së prerë, brenda tri ditëve pune.
Kur ankesa është e drejtë, dekani e shpall të pavlefshëm rezultatin e vlerësimit për të cilin studenti është ankuar dhe vendos që studenti të rivlerësohet ose të rijapë provimin, me të njëjtin komision, të plotësuar edhe me anëtarë të tjerë. Procedura e ndjekur për zgjidhjen e ankesës, si dhe vendimi i marrë, dokumentohet.