Sesionet e Provimeve

Shtyp
Krijuar: 04 Tetor 2011 Ndryshimi i fundit: 17 Mars 2014 Vizita: 18769

Sesionet e Provimeve

Datat e provimeve propozohen nga sekretaritë mësimore në bashkëpunim me departamentet, miratohen nga Dekani dhe shpallen jo më vonë se katër javë para fillimit të sesionit.

Nëse studenti nuk ka shlyer detyrimet e lëndës në kohën normale të zhvillimit të saj, ai duhet t’i shlyejë ato para fillimit të sesionit të provimeve, në periudhën e shpallur nga dekanati. Nuk lejohet shlyerja e detyrimeve të lëndës përgjatë sesionit të provimeve.

Studenti, nuk lejohet të hyjë më shumë se një herë në provimin e një lënde, brenda një sesioni. Studenti nuk mund të hyjë në të njëjtën ditë në dy provime në lëndë të ndryshme.

Studenti nuk mund të japë provim brenda një sesioni disiplina të ndërvarura nga njëratjetra. Disiplinat nuk mund të kenë ndërvarësi të shumëfishtë.

Studenti është i detyruar të paraqitet në provim me dokument identifikimi me fotografi (libreza e studentit/karta e identitetit si student i Universitetit Politeknik). Në të kundërt ai nuk lejohet të provohet dhe pasojat rëndojnë mbi studentin. Në përfundim të provimit, komisioni shënon në librezen e studentit notën e vlerësimit me numër e me fjalë, duke vënë firmën secili anëtar i komisionit.

Në provim nuk lejohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve. Studenti që në provim përdor forma e mjete të palejueshme, përjashtohet nga provimi.

Provimet me shkrim bëhen të sekretuar dhe zgjasin 2-4 orë. Gjatë provimit mund të lejohet përdorimi i mjeteve ndihmëse. Sistemi i pikëve dhe konvertimi përkatës me notë, që përdoret në provimin me shkrim, i bëhet të njohur studentit para fillimit të provimit.

Në të gjitha format e organizimit të provimit, studenti merr vlerësimin përkatës nga komisioni jo më vonë se tre ditë pune nga data e dhënies së provimit. Vonesa në dhënien e rezultatit të vlerësimit ngarkon me përgjegjësi komisionin e provimit.

Komisioni shpall rezultatet e vlerësimit, para plotësimit të dokumentacionit përkatës sipas nenit 23 (fletët e provimit). Studenti ka të drejtë të sqarohet për çdo paqartësi nga ana e tij, ose të kundërshtojë rezultatin e marrë. Komisioni i vlerësimit është i detyruar të sqarojë studentin në lidhje me vlerësimin e bërë, duke ballafaquar përgjigjet e dokumentuar të studentit me tezën e zgjidhur.

Studenti ka të drejtë të ankohet, në rast se ndaj tij janë shkelur rregullat proceduriale gjatë zhvillimit të provimit ose nuk është dakord me vlerësimin e bërë. Ankesa duhet të depozitohet me shkrim brenda një afati prej 24 orësh nga shpallja e rezultatit në sekretarinë e dekanit. Kjo ankesë shqyrtohet nga Dekani, i cili mund të thërrasë për sqarime përgjegjësin e departamentit përkatës komisionin e provimit dhe vetë studentin dhe pas gjykimit të çështjes, merr vendimin përkatës të formës së prerë brenda tre ditëve. Vendimi i Dekanit përcakton nëse kërkesa e studentit është e drejtë ose jo. Kur ankesa është e drejtë Dekani e shpall të pavlefshëm rezultatin e vlerësimit për të cilin studenti është ankuar dhe vendos që studenti të rijapë provimin, me të njëjtin komision, të plotësuar edhe me anëtarë të tjerë, në një datë tjetër brenda sesionit ose jashtë tij, por jo më vonë se 5 ditë nga përfundimi i sesionit përkatës të provimeve. Procedura e ndjekur për zgjidhjen e ankesës si dhe vendimi i marrë regjistrohen në regjistrin e ankesave të studentëve.