Të drejta dhe detyrat

Shtyp
Krijuar: 07 Tetor 2011 Ndryshimi i fundit: 20 Janar 2020 Vizita: 39600

Statusi i studentit të UPT-së

1. Çdo person, fiton statusin e studentit në UPT, me regjistrimin e tij në një nga programet e studimit të UPT.
2. Studenti e humbet statusin e tij me marrjen e diplomës/certifikatës, me tejkalimin e kohës maksimale të përfundimit të studimeve, me largimin vullnetar të tij pa përfunduar studimet ose me përjashtimin e tij nga UPT-ja.
3. Studenti, që është shpallur fitues në programin e studimi të UPT-së sipas kornizën ligjore në fuqi, regjistrohet në një program studimi të UPT-së, pasi përmbush detyrimet e mëposhtme:
• ka dorëzuar pranë sekretarisë mësimore të njësisë kryesore ku do të kryejë studimet, dokumentacionin e kërkuar, në përputhje me udhëzimet përkatëse;
• ka plotësuar formularin e regjistrimit;
• ka shlyer detyrimet financiare, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
4. Studenti i regjistruar në një program studimi në UPT, duhet:
• të njihet me Statutin, Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Zhvillimit Kurrikular dhe të Mësimdhënies së UPT-së;
• të njihet me rregulloren e programit të studimit.
5. Studenti mund t’i pezullojë studimet dhe t’i rifillojë ato, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë rregullore.
6. Studenti nuk mund të regjistrohet, njëkohësisht, në më shumë se një program studimi. Bëjnë përjashtim nga ky rregull vetëm nxënësit dhe studentët e shkëlqyer, të përcatuar nga korniza ligjore në fuqi.

Të drejtat e studentëve të UPT

1. Studentët e UPT –së kanë të drejtë:
a. të përfaqësohen në organet kolegjiale të UPT-së, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi dhe Statutin e UPT-së;
b. të përfshihen në procesin e rishikimit dhe përmirësimit të programeve të studimit;
c. të organizohen për çështjet e tyre në nivel institucional, njësie kryesore apo njësie bazë;
d. të përdorin pajisjet e shkollës, sipas rregullave përkatëse, për të realizuar programin mësimor dhe punën e programuar në aktivitetin e tij shkencor, laboratorët, bibliotekën dhe mjediset sportive e kulturore, të njësive kryesore të UPT-së;
e. të kërkojnë respektimin e procesit mësimor dhe të procedurave, në përputhje me Rregulloren e Zhvillimit Kurrikulat dhe të Mësimdhënies së UPT-së dhe regulloren e programit te studimit;
f. të shprehin opinionet e tyre për cilësinë e mësimdhënies, punën e personelit akademik dhe ndihmës-akademik të UPT-së;
g. të shprehin opinionet e tyre për cilësinë e shërbimit të personelit administrativ të UPT-së;
h. të shprehin mendim mbi korrektësinë, objektivitetin dhe barazinë në procesin e vlerësimit të kontrollit të dijeve, përfshirë mundësinë e ankimimit të rezultatit, rishikimit dhe reflektimit nga pedagogu përgjegjës/njësia bazë/njësia kryesore;
i. të paraqesin ankesat e tyre në instancat përkatëse të UPT-së, për çdo shkelje të të drejtave të tyre;
j. të përfitojnë bursë studimi kur plotësojnë kushtet e përcaktuara në kornizën ligjore në fuqi si dhe shpërblime të veçanta, që administrohen nga UPT-ja, me miratimin e BAUPT;
k. të ndjekin leksione, seminare/ushtrime dhe të gjitha veprimtaritë e tjera mësimore-shkencore, të organizuara në përputhje me statusin e tyre;
l. të informohen nëpërmjet formave të ndryshme të komunikimit në lidhje me rregulloret e ndryshme të UPT-së, bursat e studimeve, mobilitetet në kuadër të projekteve Evropiane, mundësitë e punësimit në kompani të interesuara dhe çdo informacion tjetër i nevojshëm për ta;
m. të pajisen me Kartën e Studentit, që është dokument unik, me anë të të cilit, ata përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. Kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit, përcaktohen në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

Detyrimet e studentëve të UPT-së

1. Studentët e UPT-së janë të detyruar:
a. të zbatojnë rregullat e pëcaktuara në Rregulloren e Zhvillimit Kurrikular dhe të Mësimdhënies të UPT-së dhe në rregulloren e programit te studimit;
b. t’iu kushtojnë vëmendje studimeve dhe të marrin pjesë në veprimtaritë akademike;
c. të shlyejnë të gjitha detyrimet e përcaktuara në planin mësimor dhe programet e lëndëve.
d. të paguajnë tarifat e shkollimit dhe të shërbimeve që iu ofron UPT-ja, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi;
e. të respektojnë kodin e etikës së UPT-së;
f. të tregojnë vëmendjen e duhur ndaj të drejtave të personelit dhe të studentëve të tjerë;
g. të ruajnë e të respektojnë paprekshmërinë e orës së mësimit dhe të pedagogut në mësim.
2. Studentët e UPT-së janë përgjegjës për pasojat që mund të rrjedhin nga mosnjohja e këtyre detyrimeve.

Organizmat e studentëve të UPT-së

1. Studentët e UPT-së gëzojnë të drejtën e organizmave të tyre, të cilat janë të pavarura dhe nuk zhvillojnë veprimtari politike ose partiake.
2. Këto organizma promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese kolegjiale të UPT-së, në strukturat mësimore-kërkimore dhe të shërbimeve të tij.
3. Organizmat e studentëve të UPT-së funksionojnë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, Statutin e UPT-së dhe rregullores së tyre, në nivel institucional dhe/ose njësie kryesore dhe bazë.
4. Mënyrat dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në statutin e tyre dhe rregulloret e brendshme të organizmës, të cilat hartohen në përputhje me Statutin e UPT-së dhe kornizën ligjore në fuqi.
5. Organizmat e studentëve të UPT-së shprehin mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të UPT-së, si për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, përcaktimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët, ndarjen e burimeve financiare, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sportive, etj.
6. UPT-ja mbështet organizmat e studentëve të tij dhe mund të financojë veprimtari të tyre me miratim të BAUPT.
7. UPT-ja mbështet organizmat e studentëve me infrastrukturën e nevojshme për realizimin e aktiviteteve të tyre.
8. UPT –ja mbështet organizmat e studentëve të tij dhe promovon në mënyrë të veçantë organizimin e të diplomuarve të tij “Alumni”, nëpërmjet njësisë përgjegjëse në UPT.

Moszbatimi i rregullave

1. Moszbatim i rregullave në UPT konsiderohen të gjitha veprimet e kryera nga ana e studentit që cënojnë:
• zhvillimin e procesit të mësimit/orës së mësimit (prishja e orës së mësimit, zaptimi me forcë i mjediseve të universitetit, hyrja me forcë në orën e mësimit, etj.);
• personalitetin e mësimdhënësit dhe të çdo punonjësi tjetër të UPT-së;
• normat etiko-morale të shoqërisë, (kopjimi në provime, falsifikimi i dokumentave të ndryshme, etj.);
• pronësinë intelektuale, të drejtën e autorit;
• normat e komunikimit, funksionimin normal të pajisjeve dhe infrastrukturës mësimore, etj., kur këto veprime nuk bartin elemente të veprës penale.
2. Ndaj studentit që kryen këto veprime, merren këto masa disiplinore:
a. vërejtje me shkrim;
b. përjashtim nga UPT-ja për një vit;
c. përjashtim përgjithmonë nga UPT-ja.
Vendimin për masat disiplinore dhe përjashtimin e studentit e merr Rektori i UPT-së, me propozim të Këshillit të Etikës.