Arkitekturë dhe Arkitekturë-Urbanist - Konkursi

Shtyp
Krijuar: 25 Korrik 2013 Ndryshimi i fundit: 25 Korrik 2013 Vizita: 2780

Zhvillimi i konkursit për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë "Arkitekturë" dhe "Arkitekturë-Urbanist".

Mbështetur në Udhëzimin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr.17, datë 17.07.2013 "Për zhvillimin e konkurseve të pranimit, tarifën e regjistrimit për konkurim në disa programe studimi të ciklit të parë me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, viti akademik 2013-2014" bëjmë me dije se:

1. Pranimet në programet e integruara të studimit të ciklit të dytë "Arkitekturë" dhe "Arkitekturë-Urbanist" në Universitetin Politeknik të Tiranës bëhen mbi bazë të rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve të fituara nga konkursi i pranimit.
2. Rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore) llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit llogariten në masën 60%
3. Rregullorja dhe programi i konkursit gjenden ne faqen zyrtare të internetit të UPT dhe FAU.
4. Të gjithë kandidatët që kanë kërkuar në Formularin A2 këto programe studimi, si dhe kandidatët shqiptar të trojeve jashtë Republikës së Shqipërisë (Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe Lugina e Preshevës), kandidatët qe janë për transferime studimesh dhe për program të dytë studimi, të regjistrohen për zhvillimin e konkursit pranë sekretarisë mësimore të FAU. Periudha e regjistrimit është nga data 16 Gusht 2013 deri në orën 12.00 të datës 27 Gusht 2013. Kandidatët nga trojet, si dhe ata që janë për transferim studimesh dhe program të dytë studimi, para regjistrimit në sekretari duhet të kenë paraqitur dosjen për aplikim pranë rektoratit të UPT.
5. Konkursi për të dyja programet e studimit do të zhvillohet në datat 3 Shtator - 4 Shtator 2013.
6. Tarifa e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit është 8,000 (tetë mijë) lekë.